• Go to:

Ju jeni diagnostikuar me gurë në veshkë apo ureter. Kjo pjesë përshkruan mundësitë e ndryshme të trajtimit të cilat mund t’i diskutoni me mjekun tuaj. Së bashku, mund të vendosni se cila mënyrë është e duhura për ju.

Faktorët që ndikojnë në marrjen e vendimit përfshijnë:

  • Simptomat tuaja
  • Karakteristikat e gurit
  • Historinë tuaj mjekësore
  • Llojin e trajtimit në dispozicion në spitalin tuaj dhe ekspertiza e mjekut
  • Preferencat tuaja personale dhe vlerat

Jo të gjithë gurët kërkojnë trajtim. Ju keni nevojë për trajtim nëse guri shkakton shqetësim dhe nuk kalon natyrshëm me urinë. Doktori juaj mund t’ju këshillojë gjithashtu trajtim në qoftë se ju keni para-kushtet ekzistuese mjekësore.

Nëse keni gurë në veshkë apo ureter e cila nuk shkakton shqetësim,në përgjithësi nuk do të trajtoheni. Mjeku do t’ju japë një program kohor për vizita kontrolli të rregullta për t’u siguruar që gjendja juaj nuk do të përkeqësohet.

Nëse guri juaj ka të ngjarë të kalojë me urinë, mjeku mund të lëshojë recetë për barna për të lehtësuar këtë proces. Ky quhet mjekim konservativ.

Nëse guri juaj vazhdon të rritet ose shkakton dhimbje të shpeshta dhe të rënda, ju do të merrni mjekim aktiv.

Trajtimi konservativ

Shumica e gurëve në veshka apo ureter do të largohen nga trupi juaj ndërsa urinoni. Megjithatë, në varësi të madhësisë dhe vendndodhjes së gurit, do të duhet pak kohë që guri të kalojë. Ju mund të vuani nga kolika e veshkës kur lëviz guri.
Në përgjithësi, duhet të mbani mend këtë:

  • Sa më afër fshikëzës të jetë guri, aq më e madhe është mundësia për ta kaluar
  • Sa më i madh të jetë guri, aq më e vogël është mundësia për ta kaluar

Ekzistojnë 2 mundësi të përgjithshme konservative të trajtimit: Terapia Mjekësore Përjashtuese (MET) dhe tretja e gurëve të acidit urik.  Në të dyja rastet do të merrni mjekim.

Trajtimi aktiv i gurit

Ka tre mënyra të përgjithshme për të hequr gurët: litotripsia me valë shok  (SWL), ureteroskopia (URS), dhe nefrolitotomia perkutane (PNL). Secila prej këtyre procedurave ka avantazhe dhe disavantazhe.

Është e rëndësishme që të flisni me mjekun tuaj për simptomet dhe rezultatet e analizave për të gjetur mundësinë më efiçente të trajtimit për ju. Në bazë të asaj se ku është, në veshkë ose ureter, mjeku mund të rekomandojë mundësi të ndryshme trajtimi.

Nëse nuk keni simptoma, mund të trajtoheni në rast se:

  • Guri vazhdon të rritet
  • Jeni në rrezik të lartë të formimit të një guri tjetër
  • Keni një infeksion
  • Guri juaj është shumë i madh
  • Preferoni trajtimin aktiv

Mjeku juaj do të rekomandojë heqjen e gurit në ureter nëse:

  • Ai duket shumë i madh për të kaluar me urinë
  • Vazhdoni të vuani nga dhimbja ndërsa merrni mjekim
  • Veshkat tuaja nuk funksionojnë si duhet ose mund të mos funksionojnë si duhet
error: Content is protected !!