Terapia Mjekësore Përjashtuese
Mjeku juaj mund të japë me recetë barna (të quajtur alfa-bllokues ose nifedipine) për t’ju ndihmuar që guri të kalojë më shpejt dhe për të kufizuar dhimbjen ndërsa ai lëviz. Kjo quhet Terapia Mjekësore Përjashtuese (MET) dhe është më efektive për gurët e ureterit.
Gjatë MET ju duhet ta takoni rregullisht mjekun – se sa shpesh varet nga rekomandimi i tij apo i saj. Mjeku duhet të kontrollojë nëse guri vazhdon të lëvizë dhe nëse veshkat tuaja vazhdojnë të funksionojnë mirë.
Shpërbërja e gurit
Nëse vuani nga gurët e acidit urik, mund të jetë e mundur shpërbërja e gurit tuaj. Kjo bëhet duke e rritur vlerën e pH të urinës suaj për ta bërë atë alkaline në vend që të jetë acide. Mjekimi nga goja si citrati alkalin apo bikarbonati i sodiumit përgjithësisht jepet me recetë. Në një nivel të pH 7,0-7,2, guri do të zvogëlohet në madhësi dhe mund edhe të shpërbëhet plotësisht. Ju mund të kontrolloni me lehtësi vlerën e pH të urinës në shtëpi duke përdorur një test shirita.