Mjeku bën një sërë analizash për të kuptuar se çfarë i shkakton simptomet tuaja. Kjo quhet diagnozë. Së pari, mjeku ose infermierja do të marrë historinë tuaj mjekësore dhe të bëjë një ekzaminim fizik. Pastaj, ata do të marrin imazhet e trupit tuaj dhe do të kryejnë analiza të tjera nëse është e nevojshme.
Teknikat e imazherisë
Për të lokalizuar gurin, mjeku duhet të marrë imazhet e organeve tuaja të brendshme. Ju do të bëni një ultrasonografi (e njohur edhe si ultratingulli), e cila përdor tinguj me frekuencë të lartë për të krijuar një imazh. Mjeku mund të shikojë nëse guri shkakton pengesë (obstruksion) duke kontrolluar nëse sistemi kolektor (mbledhës) është i zmadhuar.
Përveç ultrasonografisë, ju mund të keni nevojë për një ekzaminim me rreze X të traktit urinar.
Një metodë tjetër e zakonshme e diagnozës është skanimi CT (tomografia e kompjuterizuar). Për sëmundje të gurëve, bëhet një tomografi e kompjuterizuar pa kontrast (NCCT). Ky skanim mund të tregojë qartë madhësinë, formën, dhe trashësinë e gurit.
Në disa situata, mjeku juaj mund të vendosë të bëjë skanim CT me kontrast të përmirësuar ose një urografi intravenoze. Këto imazhe japin informacion shtesë në lidhje me funksionin dhe anatominë e veshkave.
Analiza e gurit dhe testet tjera
Në rastin e kolikës renale, urina dhe gjaku testohen për të parë nëse keni infeksion ose pamjaftushmëri të veshkave.
Nëse guri juaj pritet të kalojë me urinën, mjeku mund t’ju rekomandojë që ta filtroni urinën për ta mbledhur gurin. Mjeku do ta analizojë atë në mënyrë që të kuptojë se çfarë lloji të gurit keni. Ky informacion është i rëndësishëm sepse ndihmon për të zgjedhur mundësitë më të mira për trajtimin dhe parandalimin.
Nëse keni rrezik të lartë të formimit të më shumë gurëve, do të bëni teste shtesë të njohura si vlerësim metabolik. Këto analiza dhe arsyet për t’i bërë ato janë të përshkruara në një pjesë të ndarë në Vlerësimin Metabolik për Gurët në Veshka dhe Ureter.