• Go to:

Njerëzit shpesh i lidhin gurët në veshkë dhe ureter me dhimbjen. Megjithatë, simptomat mund të ndryshojnë nga dhimbje të forta deri në pa dhimbje fare, në varësi të karakteristikave të gurit, si madhësia, forma, dhe vendndodhja e gurëve në traktin urinar (Fig. 1).

Fig. 1: Trakti urinar.
Fig. 1: Trakti urinar.

Dhimbjet e forta (kolika renale)

Nëse guri e bllokon rrjedhjen normale të urinës nëpër ureter ju do të përjetoni dhimbje të forta, të njohura si kolikë renale. Ajo është një dhimbje e mprehtë në zonën e ijeve dhe mesit (në anën e trupit, nga brinjët në kërdhokull). Nëse guri nuk është në veshkë, por në ureter, ju mund të ndjeni dhimbje në baqth ose kofshë. Burrat mund të kenë dhimbje gjithashtu edhe në testikujt e tyre (Fig. 2).

Kolika renale shkaktohet nga një rritje e papritur e presionit në traktin urinar dhe murin e ureterit. Dhimbja vjen në valë dhe nuk ulet në qoftë se ju ndryshoni pozicionet. Ajo është përshkruar si një nga përvojat më të dhimbshme, të ngjashme me rastin e lindjes.

Simptoma të tjera që mund të shoqërojnë kolikat renale janë:

  • Të përziera
  • Vjellje
  • Gjak në urinë (urina duket rozë)
  • Urinim i dhimbshëm
  • Temperaturë

Kolika renale është gjendje urgjente dhe ju duhet të kontaktoni mjekun tuaj të familjes ose spitalin më të afërt për të lehtësuar dhimbjen. Në rast të temperatures së lartë ju duhet të kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.

Fig. 2: Zona e mundshme e dhimbjes së kolikës renale.
Fig. 2: Zona e mundshme e dhimbjes së kolikës renale.

Dhimbje e topitur ose asimptomatike

Gurët gjithashtu mund të shkaktojnë dhimbje të përsëritura, të topitura në ije. Kjo dhimbje mund të tregojë gjithashtu për sëmundje të tjera, prandaj  ju do të duhet të bëni analiza mjekësore për të zbuluar nëse keni sëmundje të gurëve në veshka apo ureter.

Disa gurë nuk shkaktojnë ndonjë shqetësim. Këto quhen gurë asimptomatik dhe zakonisht janë të vegjël. Në përgjithësi gurët asimptomatik zbulohen gjatë imazherisë me rreze-X apo procedurave të ngjashme të imazherisë për gjendje të tjera.

error: Content is protected !!